Në janar të këtij viti një nga shtëpitë botuese më prestigjioze në botë (Brill Accademic Publisher), botoi librin e shkruar nga Lejla Demiri, mërgimtare shkencore nga Maqedonia, me titull “Ekzegjeza myslimane e Biblës në Kajron mesjetare” (Muslim Exegesis of the Bible in Medieval Cairo).

 

Ky libër është botimi i tezës së doktoraturës  që Lejla Demiri e ka mbrojtur në vitin 2010 në Universitetin e Kembrixhit, me titullin “Koment kritik i katër ungjijve, Torahut dhe librave tjerë të profetëve” që është një përkthim nga gjuha arabe e një traktati të dijetarit mysliman Nexhmudin El Tufi.

 

Karriera e saj është e jashtëzakonshme. Ajo ka kryer masterin për studime islame në Universitetin e Marmarasë në Turqi, ndërsa më vonë në vitin 2002-2004 studimet e teologjisë Krishtere në Romë, në Universitetin Papnor Gregorian si dhe në Universitetin Papnor Angelcium, ku ka marrë një diplomë pasuniversitare në vitin 2003 dhe një licencë në studime ndërfetare në vitin 2004. Pas kreu studimet për doktoraturë në Kembrixh, hulumtime për post-doktoraturën e ka përfunduar në Gjermani me temën: “Rishikimi i kanuneve të shkollarizmit tekstual”

Studimi i saj fokusohej në pikëpamjet e teologëve mysliman rreth pluralizmit religjioz në fund të XVII. Aktualisht punon si profesoreshë e studimeve islame në një nga universitet më prestigjioze dhe më të vjetra të Gjermanisë, Universiteti i Tubingenit.